07/01/2009  “Beteja” për ekstradimin e Dritan Rexhepajt drejt dështimit, Italia e kërkon për vete


Prokuroria kërkon burg përjetë për dy të akuzuarit dhe 20 vjet heqje lirie për tjetrin


TIRANE- Prokuroria jep pretencën me burg përjetë për vrasësit e dy policëve të Fushë-Krujës, teksa i kërkuari kryesor i kësaj masakre, vrasësi me pagesë Dritan Rexhapaj duket se nuk do të ekstradohet së shpejti në Shqipëri, pasi akuzohet për disa krime në Itali. Mësohet se vetë Dritan Rexhepaj, gjatë hetimit të kryer në Holandë ka shprehur dëshirën për të mos u ekstraduar në drejtim të Shqipërisë, për shkak të frikës së tij nga hakmarrja. Sakaq, për dy të pandehurit Sokol Halilaj dhe Dritan Rexhepaj u kërkua burgim i përjetshëm, ndërsa akuza kërkoi masën e dënimit me burg me 20 vjet për të pandehurin tjetër Shefqet Seferi. Rexhepaj akuzohet për trafik droge, largim nga ambientet e burgut, vrasje me pagesë, falsifikime dokumentesh, etj.


Beteja për ekstradim


Prokuroria e Përgjithshme si dhe Ministria e Drejtësisë kanë humbur betejën me autoritetet italiane, për ekstradimin nga Holanda (u arrestua në vitin 2006 në Amsterdam) në Shqipëri, të shumë kërkuarin Dritan Rexhepaj. Burime pranë organit qendror të akuzës konfirmuan ditën e djeshme se vrasësi i dy efektivëve të policisë së Fushë-Krujës është ekstraduar në shtetit italian. Pikërisht në këtë vend, Rexhepi akuzohet për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” si dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Aktualisht janë mbledhur të gjitha provat së bashku nga organi i akuzës dhe zyra e Interpol Tiranës dhe dosja ka mbërritur në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo e fundit ka kryer edhe përkthimin e plotë të akteve të dosjes në gjuhën italiane, ku i ka nisur ato në drejtim të Italisë me shpresën se kjo e fundit do të vendosë për ekstradimin e Rexhepit në Shqipëri. Në dosje, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ekstradimin e 29-vjeçarit Dritan Rexhepi në drejtim të Shqipërisë.


Pretenca e Prokurorisë


Dy personave që vranë dy punonjës të policisë në vitin 1999, tashmë do t’u duhet të përballen me vuajtjen e dënimit me burgim të përjetshëm. Kjo është masa e dënimit që kërkoi dje organi i Prokurorisë për dy të pandehurit Sokol Halilaj dhe Dritan Rexhepaj. Po dje akuza kërkoi masën e dënimit me burg me 20 vjet për të pandehurin tjetër Shefqet Seferi. Njëri nga të pandehurit Dritan Rexhepaj është në mungesë. Ata akuzohen për ekzekutimin e dy policëve të Krujës, Arben Keqit dhe Durim Kasmit, si dhe Ramë Bakiut, pronari lokalit. Pas akuzës radhën e ka mbrojtja për të paraqitur konkluzionet e saj e më pas gjykata do të shprehet me vendim. Ndërkohë të pandehurit që ndodheshin në sallën e gjyqit nuk kanë pranuar akcizën. Ata janë shprehur se nuk kanë lidhje me vrasjen dhe asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e ndonjë skenari të përgatitur në bashkëpunim.


Largimi në zyrën e shefit të Antiterrorit


Arratia “si me magji” nga burgu i Durrësit


Vlonjati Rexhepaj kishte ndryshuar emrin nga Gramoz në Dritan. I dyshuar për një mal me akuza në Shqipëri dhe Itali, i dënuar më parë me 2 vjet burg, Rexhepaj kishte mundur të fitonte shkollën e Drejtësisë në Universitetin "Nënë Tereza", në Tiranë. Studenti i vitit të parë të Juridikut është arrestuar me pistoletë në brez nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Durrësit dhe nga oficerë të Policisë Kriminale në Drejtorinë e përgjithshme të Policisë. Grupi operacional arrestoi Seferin me Tafën. Gjykata kishte lëshuar në mënyrë të fshehtë masat e "arrestit me burg" për Rexhepajn, Seferin dhe Tafën. Ata akuzoheshin për ekzekutimin e dy policëve të Krujës, Arben Keqit dhe Durim Kasmit, si dhe Ramë Bakiut, pronari i lokalit. Ky i fundit ka rezultuar viktimë e pafajshme, pasi objektiv ishin vetëm dy policët. Sa spektakolar ishte arrestimi i Rexhepajt, po aq i tillë do të ishte edhe arratisja e tij. I gjendur në zyrën e shefit të Antiterrorit të Policisë së Durrësit, Rexhepaj ishte i vetëm në pritje të mbërritjes së avokatit të tij. Nuk i është dashur të presë hekura, as të vrapojë. Vetëm sa ka hapur derën dhe ka kaluar qetësisht krejt korridorin e katit të parë dhe më pas ka kaluar oborrin duke dalë nga dera kryesore. Mungesa e Rexhepajt do të binte në sy të policisë vetëm gjysmë ore pas largimit të tij. Policia është vënë në alarm, por koha kishte qenë e mjaftueshme për Rexhepajn që të zhdukej.