GJykata KushtetueseGjykata Kushtetuese ka rrëzuar Aktin Normativ të qeverisë për shtyrjen e zbatimit të Statusit të Nëpunësit Civil. Edhe pse lajmi nuk është publikuar zyrtarisht, burime nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur se ajo e ka cilësuar aktin si antikushtetues. Konfirmimin e lajmit e kanë bërë edhe përfaqësues të opozitës dhe të mazhorancës, të cilët pohuan për shpalljen të pavlefshëm të këtij Akti Normativ nga ana e Kushtetueses.


Vendimi


Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për pezullimin e hyrjes në fuqi të Aktit Normativ për ligjin e “Nëpunësit Civil”. Por demokratët bënë edhe një tjetër kërkesë, për shfuqizimin e Aktit Normativ, që përcaktonte shtyrjen e zbatimit të ligjit nga 1 tetori 2013, më 1 prill 2014.


Akti Normativ për shtyrjen me gjashtë muaj të afatit të hyrjes në fuqi të ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil u miratua në Parlament më 17 tetor vetëm me votat e deputetëve të mazhorancës. Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë vendim me arsyetimin se mazhoranca kërkon të shtyjë afatin e hyrjes në fuqi të këtij ligji për të bërë spastrime në administratë. Nga ana e saj, qeveria tha se ligji është i pazbatueshëm dhe ka nevojë për disa akte nënligjore. Për këtë arsye kërkoi që hyrja në fuqi e ligjit të shtyhej me gjashtë muaj.