Qeveria parashikon që të bëjë një ndarje preferenciale këtë fundvit për punonjësit e administratës publike, në lidhje me pagat shtesë dhe shpërblimet që jepen çdo vit. Por megjithëse nëpunësit e administratës do të përfitojnë shpërblim për fundvit, jo të gjithë do të përfitojnë njësoj. Ashtu si edhe vitin e kaluar qeveria ka parashikuar që të japë një pagesë prej 10 mijë lekësh për të gjithë punonjësit e administratës në nivel qendror dhe lokal. Përjashtim bëjnë ata punonjës për të cilët titullari vendos tu japë një shpërblim më të lartë, për rezultate të mira në punë ose ndonjë arsye tjetër. Ministria e Financave është duke përgatitur udhëzimin përkatës për ndarjen e këtyre parave, sipas vendimit që qeveria ka miratuar një javë më parë. Bëhet e ditur se efektet financiare për të përballuar këto shpenzime do të merren nga fondi që çdo institucion ka marrë që në fillim të vitit. Ky vendim i qeverisë shfuqizon atë të dy viteve më parë për krijimin e fondit të veçantë në institucionet buxhetore.



Përfituesit



Tradicionalisht, me rastin e festave të fundvitit qeveria ka vënë në dispozicion një fond për shpërblimin e punonjësve të shtetit, si edhe të pensionistëve. Në total, pas ripërcaktimit që qeveria i bëri numrit të përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, mësohet se janë plot 89 881persona që punojnë në këto zyra. Ndërsa në total, në të gjitha administratën, janë rreth 104 mijë persona të punësuar. Sipas vendimit, në fund të vitit, të gjithë punonjësit e administratës do të marrin 10 mijë lekë shpërblim. Ndërsa mes tyre, mund të ketë punonjës që nëse janë me fat do të marrin edhe ndonjë shtesë për punë të mirë. Kjo gjë do të realizohet vetëm nëse e vendos titullari i institucionit. Me anën e vendimit të një jave më parë, qeveria përcaktoi se do të krijohet një fond për shpërblime të nëpunësve shtetërorë, i cili arrin masën e 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. “Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie. Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se një pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se dy paga mujore në vit”, - thekson vendimi i qeverisë.



Shpërblimet



Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, sipas vendimit, të cilat janë në fushën e veprimit të ligjit të shërbimit civil, shpërblimi jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin për shërbimin civil. “Për Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve kriteret e shpërblimit me mbi një pagë përcaktohen sipas udhëzimit përkatës të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm”, - nënvizon vendimi. Shpërblimi për rezultate të mira në punë të përballohet nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve. “Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse”, - thuhet në vendim.















8 Dhjetor 2009