Lëndët dhe datat për provimet e shkollave të mesme. Lëndët me zgjedhje, përfshihet edhe frëngjishtja
Jonida Tashi

Ministria e Arsimit bën publik udhëzimin për përfundimin e vitit shkollor 2007-2008, zhvillimin e provimeve përfundimtare dhe provimeve të Maturës Shtetërore në sistemin e arsimit parauniversitar. Sipas këtij udhëzimi, vitet e fundit të shkollave të mesme të përgjithshme, do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, pasi u mbaron viti mësimor 2007-2008 më 30 maj 2008. Të gjithë maturantët në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar, do t’u nënshtrohen provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore përkatësisht në këto data: Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008, Matematikë 17 qershor 2008 ndërsa lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008.
Lëndët me zgjedhje
Këtë vit, në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore për herë të parë do të jepet edhe lënda e Gjuhës frënge. Gjithashtu, këtë vit, lënda Njohuri për shoqërinë është ndarë nga blloku i lëndëve Njohuri për ekonominë dhe Filozofi, të cilat do të jepen bashkë. Ndërsa lëndët Histori dhe Gjeografi do të jepen si dy lëndë me zgjedhje të veçanta. Lëndët me zgjedhje, që do të kenë mundësi të zgjidhen nga maturantët gjatë plotësimit të formularit A1, do të jenë: Fizikë, Kimi, Biologji, Anglisht, Frëngjisht, Histori, Gjeografi, Njohuri për shoqërinë, Njohuri për ekonominë dhe Filozofi.
Konsultimet
Kurse përsa i përket nismës për “Këshillimin e karrierës”, MASH-i, me anën e këtij udhëzimi, ka ngarkuar nëndrejtorët e shkollave (në mungesë të tyre, drejtorët) për të dhënë t’i gjithë informacionin e duhur çdo maturanti (Sistemi Meritë-Preferencë, plotësimin e formularëve etj.) për provimet e maturës. Në periudhën javore 2-7 qershor të gjitha shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit duhet të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara.

Nëntë lëndët me zgjedhje që duhet të zgjidhen gjatë plotësimit të Formularit A1
Fizikë
Kimi
Biologji
Anglisht
Frëngjisht
Histori
Gjeografi
Njohuri për shoqërinë
Njohuri për ekonominë dhe Filozofi

Datat e provimeve për të gjitha shkollat e mesme
Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore për sesionin e parë janë si më poshtë:
Në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme pedagogjike:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008 Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:
Gjuha dhe letërsia greke 02 qershor 2008
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:
Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në seksionet dygjuhëshe (Profili shoqëror dhe natyror):
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008 Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme social-kulturore artistike dhe sportive:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008
Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike-profesionale
5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare:
Letërsi 09 qershor 2008
Matematikë 17 qershor 2008
Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Rregullat në mjediset e provimit

Maturantët duhet të paraqiten në shkollë një orë përpara fillimit të provimit. Në këtë kohë kryhet identifikimi i maturantëve, hyrja në mjediset e provimit (klasa), ulja e tyre në vende si dhe leximi i rregullave për ta. Procesi i identifikimit të çdo maturanti gjatë hyrjes së tyre në mjediset e provimit kryhet nga përgjegjësi i administrimit të provimit. Me kërkesën e tij ai mund të ndihmohet nga drejtori i shkollës dhe administratorët e provimit. Pas fillimit të zhvillimit të provimit, drejtori i shkollës nuk lejohet të hyjë në mjediset ku zhvillohet provimi.
Hyrja dhe ndarja e çdo maturanti nëpër klasa bëhet duke ndjekur rigorozisht rendin zbritës te listës emërore te dërguar nga AVA. Nxënësi/kandidati, ditën e provimit ka me vete për identifikim certifikatën personale me fotografi ose letërnjoftim. Lejohet hyrja në provim vetëm e nxënësit/kandidatit të shpallur në listë. Sistemimi i çdo maturanti, në mjediset/sallat e provimit bëhet një nga një, sipas rendit te hyrjes se tyre. Ndalohet ndërrimi i vendeve. Në ato shkolla apo mjedise ku provimi administrohet vetëm në një klasë, sistemimi i nxënësve bëhet sipas rendit alfabetik.

Penalizimet
Në qoftë se një nxënës/kandidat thyen rregullat e provimit, atëherë administratori i provimit njofton përgjegjësin e administrimit të provimit dhe merr këto masa disiplinore:

Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi, në qoftë se thyen rregullat e provimit

Nxënësi/kandidati përjashtohet nga provimi dhe i hiqet e drejta të japë provimet e Maturës për vitin në vazhdim në qoftë se nuk zbaton rregullat

Në qoftë se përgjegjësi i administrimit të provimit merr një nga masat e parashtruara, ai urdhëron nxënësin/kandidatin të largohet nga salla e provimit, pa shqetësuar të tjerët

Në rast se nxënësi/kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, përgjegjësi i administrimit të provimit e informon atë mbi mosnjohjen e rezultatit dhe lejon vazhdimësinë e provimit




13 Shkurt 2008