Artan CENA

TIRANË - Disa prej tyre kanë më shumë se 15 vjet që janë në kërkim ndërkombëtar, e disa të tjerë pak më shumë se 1 vit. Gjashtë janë personat më kërkuar nga Policia shqiptare në të gjithë botën. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të uniformave blu. Të gjashtë super të kërkuarit janë të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm me akuzën e vrasjes. Listën e kryeson Gentian Take dhe përfundon me David Gjokejën, të dënuar për vrasje të dyfishtë. Emrat dhe fotot e tyre janë të publikuar dhe në uebin zyrtar të Policisë së Shtetit, por informacioni për kapjen e tyre është zero.

Kërkimet

Policia shqiptare dhe kolegët e saj në të gjithë botën kanë në listën e personave me të kërkuar dhe gjashtë shqiptarë, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Për vite me radhë këta persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, por po vazhdojnë të gëzojnë lirinë e plotë. Ata gjenden të fshehur në vende të ndryshme të botës, edhe pse kanë marrë dënime të formës së prerë nga ana e Drejtësisë shqiptare, në mungesë, për veprat që kanë kryer. Të gjithë mbajnë mbi supe histori të ndryshme, te cilat janë shkruar nga përfaqësues të akuzës dhe kanë zënë vend në dosje. Emri i tyre i cilësuar si i pandehur ka përshkruar një rrugë në të gjitha hallkat. Edhe pse në listën e Interpolit Internacional ndodhen më shumë se 200 shqiptarë të shumëkërkuar nga vendi ynë në të gjithë botën, gjashtë prej tyre janë super të kërkuarit. Ata nuk dihet se ku ndodhen të fshehur dhe nuk janë zbuluar se ku jetojnë.

Policia

Policia e Shtetit, nëpër analiza të ndryshme, përveç t tjerave, gjithmonë i rikujton të kërkuarit që kanë për të vuajtur dënimin e marrë nga gjykatat. Lista me emrat dhe fotot e shqiptarëve më të kërkuar në botë është e shpërndarë nëpër komisariatet e vendit. Ajo i është dhënë Interpolit Internacional, që i ka inkuadruar në listën e plotë të të shumëkërkuarve nga e gjithë bota, bashkë me fotot dhe të dhënat e tyre. Sipas një raporti të zyrës së Interpolit në Ministrinë e Brendshme bëhet e ditur se shumë të kërkuar shqiptarë kanë kryer operacione plastike në fytyrë. Duke i shtuar kësaj edhe ndryshimin e identitetit, ata u kanë shpëtuar prangave.



Personat më të kërkuar:

Gentian Take, i kërkuar për vrasje, dënuar me burgim të përjetshëm

Marjan Rroku, vrasje të dyfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm

Ndriçim Sadushi, vrasje dhe bandë e armatosur, dënuar me burgim të përjetshëm

Besnik Shahaj, vrasje të katërfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm

Gjovalin Lesi, vrasje të dyfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm

David Gjokeja, 43 vjeç, vrasje e dyfishtë, dënuar me burgim të përjetshëm



Sektori i ri

Tani kriminelët kapen dhe nëpërmjet internetit

TIRANË - Teknologjia ka ecur para me shpejtësi dhe këtë risi po mundohet ta përdorë dhe Policia shqiptare. Para pak kohësh, Policia e Shtetit vendosi që të ngrejë një sektor të ri për zbulimin e krimit, atë të luftës kibernetike (internetit). Siç bëhet e ditur, kompjuteri dhe sajtet e shumta të informimit dhe komunikimit elektronik e kanë bërë që bota të jetë fare e vogël tanimë. Brenda pak sekondash një fotografi dhe një informacion mund të përhapet në të gjithë globin falë avancimit të teknologjisë. Falë sajteve si Facebook, miliona njerëz komunikojnë njëherësh mes tyre nga njeri cep i globit në tjetrin. Por teknologjia ka edhe telashet e saj. Elektronika ka armiqtë e saj, që nuk janë vetëm viruset, por edhe hakersat. Ata janë të aftë të kopjojnë dhe zbulojnë fjalëkalimet e e-mail-eve e adresave të tjera dhe mund të manipulojnë informacionin që u kalon të tjerëve, duke kanosur e kërcënuar, duke fyer e ofenduar nga adresa të panjohura. Ky është krimi kibernetik, lloji më i ri i krimit, i cili ka diktuar hapjen e një zyre të veçantë edhe në Shqipëri. Hergis Jica është shef i seksionit kundër krimeve kompjuterike në Policinë e Tiranës. Ai thotë se para hakersave thuajse jemi të pambrojtur, por nëse kërkon një fjalëkalim të sigurt, ai duhet të ketë 12 karaktere dhe jo vetëm me shkronja, por edhe numra dhe shenja pikësimi. Por edhe ky duhet ndërruar çdo ditë, gjë të cilën pakkush e bën. Dhe, për pasojë, denoncimet ndaj kërcënimeve dhe fyerjeve në internet janë shtuar së fundi. “Çdo person mund të kryejë një vepër të caktuar në krimet kompjuterike me anë të programeve që thyejnë kodet. Shpeshherë adresat e e-mail-it që mund t’u thyhen kodet, mund të bëhen nga administratori i rrjetit”, - thotë Jica. Mes kallëzimeve të shumta policia ka në dorë edhe raste të përdorimit të identitetit të personave të tjerë në adresën e Facebook-ut. “Në Facebook ka pasur raste kur është përdorur identiteti i tyre në formën e talljes. Zakonisht kjo bëhet nga persona që mund të kenë pasur konflikte më përpara”, shpjegon Jica. Zyra e krimeve kompjuterike ka kryer operacione të njohura për goditjen e grupit që klononte karta bankare ku u arrestuan 17 persona të implikuar në mëse 400 raste të vjedhjes se bankave si dhe operacioni “Konkord”, i cili shkatërroi një grup personash për mashtrim kompjuterik që kishin arritur të vidhnin mbi 100 mijë euro.







4 Gusht 2010