Nis aplikimi, dokumentet dhe procedura e seleksionimit të emrave. Paratestimi, orët e mësuesve të përzgjedhur nën mbikëqyrjen e inspektorëve


Jonida Tashi



Përcaktohen kriteret për testimin e mësuesve për fitimin e tri shkallëve të kualifikimit. Burime nga Drejtoria Arsimore e Tiranës (DRA) bëjnë të ditur se aktualisht kanë nisur aplikimet, të cilat do të pranohen deri në datën 31 dhjetor. Kushti kryesor që një arsimtar të pranohet në provimin e kualifikimit, që do të zhvillohet në muajin mars të vitit 2009, është vjetërsia e punës në arsim. Sektori i Trajnimit dhe Kualifikimit në DRA sqaron se provimeve të kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët, deri në datën 31 dhjetor 2008, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit; 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Mësuesi, i cili s’kualifikohet në provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm. Mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e punës duhet të depozitojnë pranë drejtorive arsimore përkatëse dokumentet e nevojshme për regjistrim, të cilat përfshijnë: diplomën e shkollës së lartë, portofolin e zhvillimit profesional, certifikatë personale me fotografi, dokument që vërteton vjetërsinë e tyre në punë, vërtetim nga drejtoria e shkollës ku japin mësim etj. Portofoli i Zhvillimit Profesional të Mësuesit përgatitet nga vetë ata. Kjo është një praktikë shumë e njohur perëndimore, e cila në vendin tonë u aplikua për herë të parë vitin e kaluar.

Seleksionimi

Pas depozitimit pranë 13 drejtorive arsimore përkatëse, kërkesat dhe dokumentet e mësuesve do t’i nënshtrohen një procesi seleksionimi që kryhet nga specialistët e burimeve njerëzore dhe atyre të trajnim-kualifikimit. Pas verifikimit të dokumentacionit të çdo mësuesi, specialistët e trajnim-kualifikimit në çdo drejtori arsimore do të bëjnë përzgjedhjen e emrave përfundimtarë që do t’i nënshtrohen provimit për kualifikim. Vitin e kaluar, për kualifikimin e mësuesve pranë zyrave të 13 drejtorive arsimore rajonale u regjistruan 2426 mësues, prej të cilëve: në fazën e parë të procesit të kualifikimit u skualifikuan 39 mësues, për arsye të mospërgatitjes së portofolit sipas kërkesave të përcaktuara; 2288 mësues hynë në testim; 99 mësues nuk u paraqitën ditën e testimit për arsye të ndryshme.

Paratestimi

Paratestimi i mësuesve që do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit do të nisë që në mbikëqyrjen e orëve të tyre mësimore nga inspektorët. Këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, të gjithë mësuesit do të pajisen përpara testimit me programe kualifikimi, me literaturë profesionale, si dhe do të trajnohen për drejtime të rëndësishme të reformës arsimore si: objektivat e të nxënit, kurrikula e lirë, planifikimi i mësimdhënies. Gjithashtu, mësuesit do të pajisen me modelet e testeve të përdorura vitin e kaluar. Sipas specialistëve të DRA-së, një element tjetër me rëndësi në vlerësim do të jetë edhe vëzhgimi dhe vlerësimi i orëve mësimore i mësuesve që kualifikohen sivjet si nga drejtuesit e shkollës, edhe nga inspektorët lokalë dhe ata të MASH-it për testim. Provimet për kualifikimin e mësuesve vitin e kaluar u zhvilluan vetëm me shkrim. Në provimin e kualifikimit mësuesit do të vlerësohen për: zotërimin e programeve lëndore, zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore, zotërimin e anës metodike të lëndës. Procesi i kualifikimit të mësuesve do të monitorohet nga përfaqësues të MASH-it dhe të Institutit të Kurrikulave dhe Tajnimit(IKT), si dhe nga administratorët lokalë. Nga vlerësimi sipas meritës mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Kjo mënyrë u siguron atyre edhe një pagë më të lartë dhe të merituar. Nga vlerësimi i kryer për 2288 kandidatët e testuar me shkrim në mars të vitit 2008, 98.5 për qind e mësuesve përfituan rritje mbi pagë. Nga këta mësues, 382 u vlerësuan me “shumë mirë”. Ndërsa mësuesit e tjerë do të mund të japin provimin për kategorinë sërish gjatë këtij viti.







Kualifikimi, kush përfshihet

Sipas udhëzimit “Për organizimin e kualifikimit për punonjësit arsimorë që plotësojnë vjetërsinë në sistemin arsimor parauniversitar” kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimit për t’u kualifikuar mësuesit:

Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri;

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune;

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar;

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e edukimit muzikor ose të edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune.



Testimi

Në provimin e kualifikimit mësuesit do të vlerësohen për:

zotërimin e programeve lëndore,

zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore,

zotërimin e anës metodike të lëndës.



Kushtet

Provimeve të kualifikimit do t’i nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2008, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:

nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit;

nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit;

20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit.



Shtesa

Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Mësuesi, i cili skualifikohet në provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm.







25 Nentor 2008