24-11-2012 / Nga Kastriot Marku

Shefkije Islamaj: Gjergj Fishta, Gjuha dhe stili. Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2012. Vol. I. 528 f. ISBN: 978 9951 596 657; Vol. II. 576 f.ISBN: 978 9951 596 664. (1104 faqe)

Pak kohë më parë studiuesja Shefkije Islamaj, aktualisht këshilltare shkencore pranë Institutit Albanologjik në Prishtinë ka dalë para lexuesve me monografinë studimoredyvëllimshme me mbi 1100 faqe Gjergj Fishta, gjuha dhe stili. Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2012.
Gjergj Fishta në veprën e tij letrare ka përmbushur funksionalisht një organizim gjuhësor gjithpërfshirës në të gjitha njësitë dhe nivelet gjuhësore. Është pikërisht ky studim, i cili përpiqet ta shohë veprën letrare të Fishtës në pikëpamje stilistike në të gjitha nivelet e gjuhës: atëfonetik, fonologjik, gramatikor (morfologjik e sintaksor), si dheatëleksikor, semantik e frazeologjik. Studimiështë konceptuar sipas nënndarjeve: fonetikë e shprehjes gjuhësore (fonostilistikë), morfologji e shprehjes gjuhësore (morfostilistikë), sintaksë e shprehjes gjuhësore (sintaksostilistikë) dhe semantikë e shprehjes gjuhësore (semantostilistikë e leksikostilistikë). Janë trajtuar dhe analizuar stilemat e përftuara në rrafshin fonetik, morfologjik e sintaksor, atë leksikor, fjalëformues dhe frazeologjik. Analizat janë kombinuar edhe me të dhëna statistikore, (denduria e përdorimeve të ndryshme të leksemave), të cilat i kanë shërbyer studiueses për të vlerësuar dhe nxjerrë përfundime të vlefshme. Bazuar në këtë këndshikim, autorja del në përfundim se Fishta ka një stil të veçantë, të përdalluar qartë, shprehur kjo përmes përdorimeve të njësive, mjeteve gjuhësore në një mënyrë stilistike tërësisht vetjake, e cila është përftuar qëllimisht në të gjitha nivelet e gjuhës (fonologjik e fonetik, morfologjik e fjalëformues, sintaksor e tekstor dhe leksikor e semantik).
Vëllimi i parë nis me një parafjalë f. 9-11, në të cilën shkrimtari Gjergj Fishta konsiderohet si një ndër shkrimtarët mëtë mëdhenj të letërsisë shqipe si dhe njëkohësisht njëri ndër intelektualët e shquar shqiptar, jo vetëm përsa i takon veprës së tij letrare, por edhe veprimtarisë së tij të gjithanshme kulturore e publike të kohës në gjysmën e parë të shekullit XX.Poeti, prozatori, publicisti, përkthyesi, njeriu euridit Gjergj Fishta ishte dhe mbetet njëri ndër personalitettet e rralla që përjetuan lavdërimet dhe mohimet më të skajshme. Autorja ka marrë në shqyrtim veprat kryesore të tij Lahuta e Malcis, Mrizi i Zanave, Vallja e Parrizit, Anzat e Parnasit, Gomari i Babatasit, Taralloqja e Ballkanit, Nikolejda, Jerina ose Mbretnesha e Luleve etj. Vepra e Fishtës përmban brenda saj lëndë të pasur gjuhësore, dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore për të cilën është ndërmarrë ky studim. Analiza e mjeteve gjuhësore-stilistike, figurative-stilistike, stilistiko-metrike e stilistiko-fonike dëshmon se gjuha e këtij shkrimtari përdallon një stilt të veçantë shkrimi, tejet vetjak, gjuhë e cila ka qëndrueshmëri eptuese të gjedheve fonemore, morfologjike, leksikore e sintaktike. Mbështetur në sa thamë autorja pohon me plot gojën se mund të flitet për një gramatikë stilistike të Fishtës. Në kapitullin me titull: Gjergj Fishta dhe vepra e tij (f. 22-122) trajtohen në vija të përgjithshme jeta dhe vepra kulturore, letrare dhe pubicistike e Fishtës, qëndrimi lavdërues dhe mohues i kritikës ndaj tij, mbështeja e madhe e tij në traditën popullore, studimet e deritanishme gjuhësore mbi Fishtën, problematika e botimit kritik të veprës së Fishtës, qëndrimi i tij ndaj gjuhës së përbashkët shqipe, disa veçori të përgjithshme gjuhësore si dhe të meta gjuhësore, stilistike dhe drejtshkrimore.Studiuesja ka shtruar drejt problemin, se megjithë ribotimet e shumta që ka pasur vepra letrare e Fishtës, ende nuk kemi një botim kritik të saj. Në shumë prej botimeve ka lëshime, (gabime), ndërhyrje etj. Pra nuk kemi ende përqasje /krahasim të dorëshkrimeve e teksteve autentike të botuara në të gjallë të autorit, çfarë në një farë mënyrë vështirëson dhe nuk jep garancinë e duhur për asnjë studim gjuhësor, përderisa nuk kemi ende një botim të plotë kritik të veprës së këtij autori.Kjo vështirësohet në një farë mënyre edhe nga fakti tjetër sepse në veprën letrare të Fishtëspërveç modifikimeve, deformimeve dhe lëvizjeve strukturore në nivelin fonologjik, por edhe në strukturën gramatikore të fjalës vërehen edhe ato që mund të quhen shmangie të qëllimshme, gabime apo pakujdesi, të cilatstabilizohen si të tilla vetëm nga botimi kritik. Autorja konstaton me të drejtë se Fishta përdor deri në katër apo pesë variante a forma fonetike të një fjale,gjë që studiuesja e ilustron këtë më shembuj të shumtë. Ndaj me të drejtë shtrohet problemi i botimit kritik të veprës së plotë të Fishtës si një domosdoshmëri. Fishta përdori si gjuhë shkrimore shqipen e gegërishtes veriperëndimore bazuar mbi shkodranishten me veçori të mbarë gegërishtes dhe përmes saj dëshmoi realisht se ishte një ndër përpunuesit më të zellshëm të saj, zbulues i vlerave gjuhësore të gjalla por të mbetura mënjanë të fjetuna të motnueme nga gjuha librore, një visar ky i jashtëzakonshëm që Fishta ia riktheu gjuhës së përbashkët shqipe. Gjuhëtarja vë re se Fishta nuk ka arritur gjithashtu t’i shpëtojë proliksitetit, teprisë së përshkrimeve, teprisë së fjalëve, përsëritjeve të panevojshme si dhe gabimeve drejtshkrimore, në disa botime të veprave të tij e në ndonjë rast edhe brenda së njëjtës vepër, veprim ky i pamotivuar /i paarsyetuar për shkak të aplikimit të rregullave të metrikës (kur është fjala për veprat në vargje).
Në kreun e dytë me titull: Fonetika stilistike f. 125-276, autorja trajton veprimet stilistike në rrafshin e fonetikës dhe të fonologjisë, tingujt, kundërvëniet dhe vlerat shënuese semantike të tyre. Këtu ajo është ndalur tek modifikimet strukturore fonologjike (zgjeruese, rrëgjuese, zëvendësuese, përkaluese dhe tejvënëse me shembuj konkretë për secilin prej realizimeve. Modifikimet fonologjike i trajton edhe në një këndvështrim tjetër; sipas kategorive gramatikore (emra, folje, përemra, numërorë, ndajfolje, parafjalë, lidhëza, pjesëza dhe pasthirrma). Po ashtu modifikimet fonologjike i trajton sipas funksionit të tyre stilistik, metriko-ritmik dhe eufonik. Studiuesja pohon se: “Duke qenë dhe veçori të gjuhës popullore, modifikimet fonologjike të Fishtës nuk janë vetëm rrjedhojë e prirjes së gjuhës për shkurtim, a joparimësi, që dalin nga mungesa e një norme të qëndrueshme gjuhësore për kohën, por janë edhe veprime të qëllimshme me funksion stilistik, me funksion metriko-ritmik dheme funksion eufonik. Këto të fundit janë modifikime të natyrshme dhe në të shumtën e herës shndërrohen në mjete të rëndësishme shprehëse stilistike, pa të cilat nuk do të mund të flisnim për veçantitë gjuhësore e stilistike të veprës së Fishtës.” (f. 237). Gjithashtu i është kushtuar kujdes edhe përsëritjes tingullore (tingujve, grupeve të tingujve, rrokjeve, leksemave, ndërtimeve sintagmatike e sintaksore, vargje e strofa, qëllimisht si bartëse të informacionit estetik. Në kreun e tretë me titull: Morfologjia stilistike f.279-504, studiuesja trajton emrin (rasat, shquarsinë dhe pashquarsinë, gjininë,) numrin (njëjësin në vend të shumësit,shumësin në vend të njëjësit) emrat vetjakë, abstraktë dhe lëndorë në vend të shumësit, mbiemrin, dyfishimin e mbiemrave, aspektin semantik-stilistik të mbiemrit. Sipas saj Fishta “Me mbiemrin, Fishta shquan, përcakton, cilëson, veçon e intensifikon objekte, nocione, dukuri a kuptime, cilësi a veçori të emrave dhe në këtë kontekst, përmes tyre, krijon një stil të veçantë.” (f. 311). Përveç përdorimit të shpeshtë, vihet re edhe përzgjedhja e tyre. Dallojnëmbiemrat përshkrues, shpesh në raporte sinonimike dhe antonimike duke marrëmjaftueshëm funksione stilistike dhe në mjaft raste kjo shoqërohet me vendosjen e dy e ndonjëherë edhe tre mbiemrave pas emrit. Përemri, (vetor, dhanorja etike, përmemri dëftor, pronor, i pacaktuar, pyetës). Numërori. Numërorët me përdorim më të dendur janë një, dy, tre, pesë, shtatë, tetë dhjetë etj. Vetëm nëLahutën e Malcis studiuesja numërorin nji e gjen në 967 përdorime dhe 90% e tyre është përdorur në vend të përemrit të pacaktuar, ndërkohë që tek Anzat e Parnasitky numëror del me rreth 500 përdorime, tek Mrizi i Zanave me rreth 600 përdorime dhe po me 600 përdorime tek Vallja e Parrizit. Numërori tre del 56 herë, numërori shtatë del 28 herë dhe numërori treqind në funksion të hiperbolës del 21 herë.Shqyrtohen përimtësisht folja, sasia dhe shpeshtësia, format dhe mënyrat e kohëve, folja stilistike dhe konteksti, tendosja kohore, kohët narrative etj. Studimi i Islamajt bazohet fortësisht në analizën e fakteve gjuhësore në rrafshin e gramatikës poetike të Fishtës si dhe hetimin e funksionit artistik të kategorive të caktuara gramatikore. Sipas saj folja është lloji më frekuentues i fjalëve kuptimplote në gjuhën e Fishtës me një larmi leksio-stilistikore e gramatiko-stilistikore, veçanërisht në veprën Lahuta e Malcis, ku folja është një përbërës estetik aktiv me funksion stilistik të dallueshëm. Studiuesja analizon dendurinë e përdorimit të formave mbizotëruese folore dhe cilësinë stilistike të një grupi foljesh mbizotëruese, dhe prej tyre nxjerr të dhëna statistikore për numrin dhe shtrirjen e tyre nëpër këngë, trajton larminë e formave, mënyrave dhe kohëve, raportin sasior që ekziston ndërmjet tyre etj. Përsëritja e foljes veçanërisht nëLahutën e Malcis krijon muzikalitet një mënyrë më shumë që rrëfimi të dalë polifonik. Prandaj konstaton me të drejtëstudiuesja se “Ligjërimi i Fishtës, mund të thuhet se, është foljor ose kallëzuesor, edhe pse numerikisht dyfish më shumë ka emra. Mund të thuhet kështu, pikërisht për të dhënën se folja e tij ka funksion të theksuar stilistik. Në Lahutë numri i paraqitjes së foljeve është shumë i madh, mbi 16 mijë e treqind paraqitje. Shtrirja e tyre nëpër këngëështë pothuajse e barabartë.” f. 386. Autorja ilustron me shembuj dhe të dhëna statistikore kur thekson se në këngën e parëCubat me 385 vargje me 2365 kemi 385 përdorime të foljeve në krahasim me 559 emra; në këngën e dytë me 375 vargje dhe 2207 fjalë kemi 564 emra dhe 330 folje ndërsa në këngën e tretë me 830 vargje kemi 803 folje. Ky raport sasior sqaron edhe çështje të efekteve stilistike. Edhe sa i përket mënyrave të foljes studiuesja konkludon se mënyra mbizotëruese është  dëftorja me kohët e kryera e më të tashmen (afër 40 %) e ndjekur nga paskajorja (afër 21 %), përcjellorja me 11 % dhe pjesorja me 10 %. Sipas autores stilistika morfologjike e Fishtës shfrytëzon me mjaft efikasitet efektin stilistik të kategorive kryesore leksiko-gramtikore dhe përpos kësaj ai harmonizon format e ndryshme garmatikore të cilat ai i shndërron në mjete poetike të strukturave letrare.
Vëllimi i dytë i veprës trajton Sintaksën stilistike f. 11-226 dhe leksostilistikën f. 229-512.
Studiuesja vëren me të drejtë se Gjergj Fishta është zotërues i shkëlqyer i mundësive sintaksore të shqipes në përgjithësi dhe i gegërishtes veriore në veçanti, gjë që tregon jo vetëm individualitetin gjuhësor por edhe individualitetin krijues të tij. Kjo vihet re përmes parapëlqimve, shndërrimeve, shmangieve, dendurisë së përdorimit të strukturave dhe gjedheve të caktuara, shpesh edhe si një risi vetjake e tij. Autorja analizon periudhat lidhëzore dhe paralidhëzore, mjetet sintaksore në ndërtimet kundërvënëse, përsëritjen dhe ndërthurjen e saj në nivele të ndryshme gjuhësore në të gjitha llojet e saj, qoftë si përsëritje e organizuar, e më pas anasjellën, paralelizmin në raport me sintaksën, semantikën dhe stilistikën, më pas grumbullimin dhe tejngopjen e mbiemrit, grumbulimin e foljes, parafrazën, paradoksin, shkallëzimin si dhe thurjen leksikore. Një vend të posaçëm studiuesjai ka lënë edhe veprimeve stilistike mbi bazën e sinonimisë, frazeologjisë dhe krahasimit. Janë vështruar përdorimet e shprehjeve proverbiale sinonimike, njësitë e ngurosura frazeologjike, ndërtimet krahasore struktura dhe funksioni i tyre. Vihet re pashkëputshmëria dhe ritmi i rregullt i strukturavepoetike, përfundimii informativ i tektit, tejngopja dhe tejkonsumimi i njësive gjuhësore, mbizotërimi i flalive emërore, sintaksa me fjali të tipit proverbial etj. Në përmbyllje të kësaj pjese të parë të vëllimit të dytë analizohet narracioni nëLahutën e Malcis, ligjërimi i saj i drejtpërdrejtë, thirrmorët, copëtimi i vargut, fjalia pa folje, vargu i shkurtër dhe tejzgjatja e vargut.
Leksikostilistika bëhet objekt trajtimi në pjesën e dytë të librit të dytë. Duke marrë parsysh pohimet e studiesve të ndryshëm të cilët kan vënë re pasurinë leksikore të veprës letrare të Fishtës, por pa e analizuar dhe provuar e faktuar atë konkretisht, studiuesja Islamaj e ka vërtetur këtë më në fund përmes një përshkrimi analitik të kujdeshëm. Vepra e Fishtës është pa asnjë dyshim monumenti më i çmuar që i ka bërë ai kulturës së shkrimit shqip, dhe ku fjala shqipe hulumtohet, gërmohet, zgjidhet e përzgjidhet, zgjerohet, krijohet e rikrijohet, modifikohet, çlirohet e tëhollohet, shkarkohet e shtendoset semantikisht duke treguar dhe mbi të gjitha duke shfrytëzuar si askush tjetër pasurinë leksikore të shqipes me të gjitha mjetet dhe mundësitë e saj shprehëse. Sipas saj “Gjergj Fishta konsiderohet ndër njohësit e mirë të gjuhës shqipe, i gjuhës popullore dhe i gjuhës artistike, njihet si njohës i shkëlqyeshëm sidomos i leksikut të shqipes, por sidmos i leksikut të së folmes së Shkodrës e i dialektit verior në përgjithësi, në të vërtetë, njihet ndër pasuruesit e mëdhenj të gjuhës shqipe. “ f. 234. Studiuesja përmend faktin se mjaft fjalë nga fjalësi i Fishtës nuk gjenden në asnjë prej fjalorëve të derisotëm të shqipes. Mjaft prej këtij leksiku kemi arritur ta kuptojmë prej Tahir Kolgjinit, për shkak të larmisë së idiomave të të folmes veriake. “Fishta ka arritur më shumë se tjetërkush në letërsinë e kohës që shprehjen letrare, në gjuhën dhe në stilin, në mprehtësinë e fjalisë, në intensitetin e brendshëm të strukturës artistike të sjellë shpirtin e gjallë të njeriut shqiptar përmes gjuhës, përmes fjalës së tij.” f. 237.  Kjo gjë verehet në semantikën e gjërë leksikore, poliseminë e sinoniminë (gramatikore, leksikore, frazeologjike e sintaksore), antoniminë e paroniminë, pasurinë fjalëformuese me prejardhje, parashtesim e prapashtesim, paranyjëzim, kompozitat popullore si dhe formulat gjuhësore si mallkimet, urimet, përshëndetje, vajtimet, fjalët e urta, sentancat nga filozofia popullore etj. Tek leksiku i Fishtës edhe pse një leksik dialektor, bie në sy se përveç dialektolizmave, krahinorizmave e lokalizmave gjuhësore, fjalëve të huazuara etj,  edhe një përpjekje e tij për të përpunuar vetëdijshëm lëndën gjuhësore me karakter të ngushtë lokal duke i dhënë atij vetvetishëm funksion shtesë stilistik. Leksiku arkaik i epikës së Fishtës ka funksion kryesisht stolisës, ngaqë përmbajtjet shënuese kuptimore i referohen objekteve, kryesisht armatimit ushtarak të kohës, që sot ka dalë jashtë përdorimit. Studiuesja merr nëshqyrtim fjalët mëme frekuencë të lartë dhe prej këtij inventarizimi vëren se folja themka 590 përdorime (paraqitje), emri shkja 389 përdorime, krye 355 përdorime, pushkë 320 përdorime, shqiptar 307 përdorime, nanë 111 përdorime, shteg 125 përdorime, mot 97, bjeshkë 89, flakë, 85, orë 77, rrfe 75, gur 74, shpat 68, zjarr 67, dritë 63, kulshedër 61, qiell 50, det 48, hanë 43, lot 43, etj. Autorja vë re se nëse në epikë përzgjidhen leksemat shkja, Shqypni, shqyptar, pushkë, luftë, vdekje, në lirikë mbizotërojnëshqyptar, Shqypni, gjuhë, njeri, mend, jetë,, zot, e posaçërisht tek Mrizi i Zanave, shqiptar, Shqypni,gjuhë, njeri. Studiuesja merr në shqyrtim fuksionin poetik të leksikut, leksikun e vjetër, përzgjedhjen e fjalës poetike, leksikun fetar dhe dukuritë semantike të shprehësisë (sinonimet, antonimet, paronimet), historizmat, orientalizmat, sllavizmat, neolatinizmat, frazeologjinë, veçoritë leksiko semantike, formulat gjuhësore dhe fjalët e urta etj. Një vend i veçantë u lihet edhe kongordancave leksikore nëLahutën e Malcis. Sipas saj Lahuta ka një fjalës prej 11 437 fjalë, dhe këtët na e ilustron duke na dhënë edhe një inventar të përdorimeve më të shumta të fjalëve “çelës” emra, mbiemra, folje, përemra, ndajfolje, parafjalë, lidhëza, pjesëza, pasthirrma, që tregon edhe dendurinë e përdorimit të tyre. Në gjykimen e studiueses shihet si domosdoshmëri vjelja e plotëleksikore e gjuhës në krijimtrainë letrare e publicistike të Fishtës dhe hartimi i  fjalorit të veprës së tij, i cili do të përcaktonte me saktësi përfshirjen e leksikut të Fishtës në Fjalorët e Gjuhës Shqipe si dhe mundësitë potenciale që ka për tu përfshirë pjesa e mbetur jashtë tyre deri tani, e cila sukseshëm do të ishte pasuri e mbarë shqipes.Vepra dyvëllimëshme përmbyllet me përfundime f. 513-523, përmbledhjen në anglisht: Gjergj Fishta-Language and style. Summary. f. 525-535, si dhe bibliografinë e veprave kryesore të Fishtës, botimet dhe ribotimet, f. 539-544, për të përfunduar me literaturën f. 545-562, sikurse edhe vëllimin e pare (f. 517-522) dhe treguesin e emrave f. 563-569. Për të mbërritur deri këtu studiueses Shefkije Islamaj i janë dashur vite të tëra pune studimore mbi gjuhën e njërës prej figurave më të njohura të letërsisë shqipe sikurse është ajo e At Gjergj Fishtës. Studimi i Dr. Islamaj Gjergj Fishta, gjuha dhe stili, në dy vëllime voluminoze, ështënjë studim i hollësishëm mbi gjuhën dhe stilin e këtij autori, me rëndësi të madhe për studimet gjuhësore ndër ne, kur dihet përballja me gjuhëntejet të pasur të  Fishtës në veprat e tij. Monografia në fjalë është një nga studimet më të rëndësishme që ka botuar deri më sot Instituti Albanologjik i Prishtinës, një vepër kjo model i veçantë nismëtar studimi, që ka munguar deri më tash në studimet tona gjuhësore e stilistike por edhe për gjuhësinë shqiptare dhe studimet albanologjike në tërësi. Studimi njëherazi është një risi në studimet tona të derisotme sepse gjuhën e një shkrimtari shqiptar sikurse Fishta e studion ndryshe nga pararendësit e saj, jo duke e trajtuar në këndqasje diakronike- historike, por duke iu qasur asaj së brendshmi nga pikëpamja e analizimit të veçorive semantike e stilistike, duke zbuluar realisht vlerat gjuhësore stilistike të Fishtës. Në këtë pikëvështrim monografia është një model shembullor se si mund të realizohen ngjashëm monografi të tjera objektive të argumentuara bindshëm shkencërisht, prej të cilave dija jonë albanologjike ka shumë nevojë.

...