Njëmbëdhjetë shkolla të drejtësisë në Europën Juglindore (SEE), ku përfshihet edhe Shqipëria, kanë formuar një lloj konsorciumi, duke hedhur sytë në anëtarësimin e ardhshëm në BE. Në bashkëpunim me Agjencinë Gjermane për Bashkëpunimin Teknik (GTZ) dhe Fondin e Hapur Rajonal për Europën Juglindore - Reforma Ligjore, shkollat kanë zhvilluar programin e parë rajonal të masterit, në të Drejtën e Biznesit të BE-së. Programi i përbashkët duhet "të rrisë konkurueshmërinë ndërkombëtare të arsimit të lartë europian, veçanërisht lidhur me programin e zhvillimit, bashkëpunimit ndër-institucional dhe programeve të integruar të studimit në një nivel rajonal", i tha SETimes, Veronika Efremova, drejtuese e ekipit në GTZ, Fondi i Hapur për Reformën Ligjore të Europës Juglindore. Deri tani, 86 studentë janë regjistruar në katër institucione, shkollat e drejtësisë në Shkup, Tiranë, Beograd dhe Mostar. Profesori i drejtësisë, Goran Koçevski, një anëtar i fakultetit në Universitetin e Shkupit, thotë se i ka bërë përshtypje ajo që ka parë. "Pata një mundësi që të jap leksione në Tiranë, Mostar dhe Beograd. Përvoja ishte fantastike, pasi pata një rast që të shkëmbej njohuritë e mia me studentë të ardhur nga mjedise politike, ekonomike dhe sociale të ndryshëm".