Për afro pesë orë, i penduari i “Bandës së Durrësit”, Dritan (Adriatik) Coli ka rrëfyer para togave të zeza, pa u ndërprerë për asnjë moment, tri nga episodet kriminale që i atribuohen kësaj bande. Rrëfimi i të penduarit vazhdoi aty ku u ndërpre javën e kaluar, ndërsa seanca vazhdoi për pesë orë me dyer të mbyllura, në prani vetëm të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe të pandehurve. Edhe përgjatë kësaj seance, avokatët tentuan ta etiketojnë të sëmurë psikik të penduarin, duke kërkuar ekspertim të trurit të Colit, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata, duke e lejuar të penduarin të vijojë me dëshminë e tij. Por, në 5 orë dëshmi, Coli do të rrëfente me detaje vetëm dy episode të rëndësishme, vrasjen e Dritan Sallakut nga “Banda e Durrësit” dhe përpjekjet po nga kjo bandë, ndonëse të dështuara, për të ekzekutuar Marsel Sotirin, një pengesë për ta në botën e trafikut të drogës. Pas këtyre dy atentateve, njërit të realizuar me sukses dhe tjetrit që u dështoi vetëm me një plagosje, i penduari tregoi para gjykatës edhe momentin kur është plagosur teksa përcillte të fejuarën në shtëpi nga Erjon Lame. Një fakt të tillë, sipas vetë të penduarit, kanë qenë Lul Berisha, Klod Saliu, Ilir Xhunga e Plarent Dervishaj, që ia kanë konfirmuar, duke bërë edhe plane se si ta ekzekutonin, pasi njihej si mik i Marsel Sotirit. Vetëm këto do ishin episodet për të cilat u rrëfye para gjykatës Adriatik Coli, pasi vazhdimi i tyre pritet të enjten në seancën e radhës. Pas 2 vjet e 4 muaj shtyrjeje të kësaj dëshmie, më në fund gjykata mundi të marrë një nga provat më të rëndësishme të procesit, dëshminë e të penduarit. Kjo dëshmi është duke u dhënë me dyer të mbyllura, pas një vendimi të gjykatës, i cili ndaloi edhe publikimin e dëshmisë së Colit pa u dhënë më parë në gjykatë. Nga burime të besueshme bëhet e ditur se Coli u ka qëndruar besnik deklarimeve të dhëna më parë, pa u ndryshuar asnjë moment, datë apo kohë të ndodhjes së tyre.





Si u vra nga banda Dritan Sallaku





Në vitin 1998 qëllojnë me kallashnikovë tek shtëpia e tyre, tek dritarja e kuzhinës, Redi dhe Plarent Dervishin, por nuk u godit asnjë nga ata. Më pas doli që atë natë kishin qëlluar Tan Sallakun dhe një shtetas tjetër që e thërrisnin “Torra”, emri i vërtetë është I. N., me banim në Shkozet. Të nesërmen, Luli më mori në telefonin e shtëpisë dhe më tha hajde në Spitallë. Shkova në Spitallë dhe u takova me Lulin tek klubi i Latës. Në atë kohë, jashtë lokalit ishin Lulëzim Berisha, Plarent Dervishi, Ilir Xhunga dhe Klodian Saliu. Ata po bisedonin me njëri-tjetrin. Sa shkova unë, Luli më tha që do shkosh në Tiranë, tek një lokal i njohur. Luli më tha që do takosh një shtetas me emrin Geri, mbiemrin nuk ia di. Luli më tha që do takosh Gerin dhe do t’i marrësh makinën dhe do ta sjellësh në Spitallë. Unë ashtu bëra. Shkova takova Gerin, të cilin e kisha takuar edhe 2-3 herë tjera tek shtëpia e Plarentit. Geri ishte rreth 171 cm, me moshë rreth 23 vjeç në atë kohë, flokët kaçurrela të zeza, të shkurtra, me fytyrë të rrumbullakët. I thashë Gerit që Luli më kishte thënë për t’i marrë makinën dhe ai më dha një makinë tip BMW 325 me ngjyrë gri në të zezë, me targa TR, numrat nuk më kujtohen. Mora makinën dhe shkova në Spitallë, ku më priste Luli. Lashë makinën dhe ika në shtëpinë time. Në darkë, rreth orës 18:00 shkova përsëri në Spitallë, ku takova Klodin, Plarentin, Ilirin dhe Lulin. Këta ishin jashtë lokalit dhe po bisedonin dhe po bënin plane si të qëllonin Tan Sallakun. Ata e dinin që Tani rrinte në një lokal afër shkollës “7 nëntori” dhe çuan një person që ta ruante dhe t’i lajmëronte kur Tani të shkonte atje. Unë nuk e dija se kush do t’i lajmëronte, por do të flisnin me telefon celular, pasi në atë kohë kishin dalë numrat e celularit. Luli dhe Klodi kishin celular me “20”, po unë nuk ua mbaj mend numrat, se ka kaluar kohë e gjatë. Rreth orës 19:30 – 20:00 të darkës, ata u lajmëruan se Tani kishte ardhur te lokali. Ata hipën në makinën BMW që solla unë nga Tirana. Luli ishte shofer, në vend të parë hipi Klodi, ndërsa mbrapa hipën Plarenti dhe Ilir Xhunga. Plarenti kishte një armë “Skorpions”, Klodi kishte pistoletë dhe Ilir Xhunga kishte pistoletë. Unë qëndrova tek lokali. Pas 10 minutash, ata u kthyen me shpejtësi dhe Luli ma bëri me dorë nga makina që të ikja. Unë ika në shtëpi dhe kur shkova atje mora vesh se ishte vrarë Dritan Sallaku dhe ishte plagosur “Torra” dhe Gim Rexhepi.





I penduari: Si dështuam në tentativën e parë për vrasjen e Sotirit





Coli, pjesë e grupit që do kryente ekzekutimin. Marsel Sotiri ngeli i plagosur në qafë dhe këmbë, por i shpëtoi vdekjes





Marsel Sotiri po bëhej shumë i rrezikshëm për Lul Berishën dhe bandën e tij, ndaj pas ekzekutimit të Dritan Sallakut, tashmë po vinte radha e tij. Banda nisi të bënte planin gati, ndërkohë që njerëz të Berishës ishin vënë në ndjekje të lëvizjeve të Sotirit nëpër Durrës. Të gjitha këto detaje u dhanë dje nga i penduari Coli, pjesëmarrës në atentatin e parë të dështuar ndaj Marsel Sotirit, i cili punonte në doganë në atë kohë. Adriatik Coli rrëfeu para gjykatës si nisi përplasja mes tyre, tentativa për të vrarë kunatin e Berishës, Plarentin dhe vëllanë e tij, si dhe arsyet që çuan në dështimin e vrasjes së Sotirit, i cili u plagos në qafë dhe këmbë, por duke ia hedhur vdekjes.





Tentativa e dështuar





Luli mori vesh nga policia që ishte zbuluar fotografia e Gerit tek makina BMW dhe filloi të ruhej dhe të rrinte mbyllur tek shtëpia e Plarentit, që ndodhej te Stacioni i ri i Trenit tek shtypshkronja “10 Korriku”. Ndërsa Klodi rrinte tek shtëpia e tij në Spitallë dhe nuk dilte. Gjatë kësaj kohe, unë lëvizja lirshëm duke shkuar edhe në shtëpinë time, si dhe tek Plarenti. Pas një jave, Dash Sallaku dhe Marsel Sotiri, i cili ishte shoku i ngushtë i Dashit si dhe Arjan Paja, i cili kishte ardhur nga Italia, pasi e kishte thirrur Marseli për këtë rast, filluan të lëviznin nëpër Durrës për të qëlluar Lulin. Ata po i ruanin dhe ishin vendosur përreth shtëpisë së Plarentit. Një nga këto ditë doli Redi, vëllai i Plarentit nga shtëpia rreth mesditës, ndërkohë unë isha te shtëpia me Plarentin, Lulin dhe familjarët e tyre. Redi shkoi te shtëpia në ndërtim e Lulit, e cila është afër me shtëpinë e Plarentit, për të kontrolluar punimet dhe në momentin që po kthehej në shtëpi, afër hyrjes së pallatit i afrohet duke e gjuajtur me pistoletë Arjan Paja. Në këto momente, Redi ishte afër hyrjes dhe vrapon i përkulur dhe futet brenda shtëpisë dhe shpëton pa u goditur. Sa u fut në shtëpi, në dritaren e shtëpisë që shihte nga rruga u qëllua me kallash. Nga plumbat nuk u plagos asnjë. Ne nuk dolëm nga shtëpia dhe pak më vonë erdhi policia. bëri veprimet dhe na pyeti kush qëlloi, por ne nuk treguam gjë dhe policia u largua. Unë pas gjysmë ore u largova për në shtëpinë time. Të nesërmen, Luli dhe Plarenti shkuan në Spitallë dhe u takuan me Klodin, ku i treguan ngjarjen dhe pas dy ditësh shkuan dhe u vendosën tek shtëpia e dajës së Lulit në Shkozet. Mbas disa ditësh shkova në Shkozet, me kërkesë të Lulit dhe aty gjeta Lulin, Plarentin, Ilir Xhungën, Klod Saliun dhe dy djem nga Elbasani, që nuk i kam njohur në atë kohë, pasi kam ndenjur jo më shumë se 5 minuta. Aty mora vesh që ata ndenjën rreth tre apo katër ditë dhe mora vesh që kishin plane për të vrarë Marsel Sotirin, pasi ky ishte më i fuqishëm se Dritan Sallaku dhe kishte rrjet më të madh shoqëror. Ia kishin frikën atij. Gjatë kësaj kohe, nuk e realizuan dot goditjen e Marselit dhe shkuan për të qëndruar te shtëpia e gjyshit të Lulit në kodrën e Rrashbullit. Kjo ishte një shtëpi njëkatëshe me oborr, në të cilin kishte pemë të mbjella dhe më duket se kishte dy dhoma dhe një kuzhinë. Pas dy ose tre ditësh, te shtëpia në Rrashbull filloi të mblidhej gjithë shoqëria e Lulit. Atje erdhën Plarenti, Ilir Xhunga, Klodian Salihu si dhe unë. Ndonjëherë unë shkoja vetë dhe ndonjëherë më thërrisnin ata. Aty flitej se si do të organizonin vrasjen e Marsel Sotirit. Dua të sqaroj se Marseli atë kohë punonte në doganën e Tiranës dhe për lëvizjen e tij, na jepnin informacion. Gjithashtu, për të kontrolluar lëvizjet e Marselit kur vinte në drejtim të Durrësit kishim lënë Julian Meçen në Maminas, i cili do të lajmëronte në telefon celular për mbërritjen e Marselit. Vëzhgimi për lëvizjet e Marselit vazhdoi për dy a tre ditë. Ditën e ngjarjes në mëngjes, më thërret Luli në telefon dhe unë shkova me furgon tek shtëpia e gjyshit të Lulit dhe atje gjeta Lulin, Klodin, Plarentin dhe Ilir Xhungën dhe aty qëndruam deri në mesditë. Aty u morëm vesh se Juli kishte dalë për të vëzhguar Marselin në Maminas, i cili lëvizte me makinën e doganës. Ajo ishte një makinë fuoristradë me ngjyrë ulliri me fenelinë. Rreth mesditës, mori në telefon Juli dhe lajmëroi Lulin se po vinte Marseli. Atëherë Luli na tha hajde shpejt se po vjen. Lulëzim Berisha, Klodian Saliu, Plarent Dervishi dhe Ilir Xhunga hipën në makinën tip “Golf”, duke marrë secili nga një automatik kallashnikov në dorë. Në timon hipi Luli, në vendin e parë të pasagjerit hipi Klodiani dhe dy të tjerët hipën mbrapa. Mua më lanë si detyrë që të merrja makinën “Lancia” dhe të shkoja t’i prisja tek shinat e trenit, tek unaza. Në makinën që hipi Luli ishte një paruke, më duket me ngjyrë të zezë dhe tre kapele sportive me strehë të gjata para. Ata u nisën para meje dhe u shkëputen nga unë, ndërsa unë mora “Lancia”-n dhe rrugës për tek unaza rashë në një gropë me ujë, që ndodhej poshtë shinave të trenit. Unë kërkova ndihmë në një shtëpi aty pranë, ku ngeci makina, në krahun e djathtë të rrugës për në plazh. Shtëpia ishte larg shinave rreth 20 metra. Aty doli një burrë i moshës 40 vjeç, nxori makinën e tij me të cilën tërhoqi “Lancia”-n, derisa e nxori nga gropa. Unë i thashë nëse mundesha ta lija makinën në oborrin e tij dhe të shkoja të nesërmen ta merrja dhe ai pranoi. Dua të theksoj se para se të ikja, pashë pozicionin ku kishte ndaluar “Golf”-i. Ai ishte afër një ferre të madhe, ku zunë pozicionin Luli, Plarenti, Klodiani, Iliri. Në atë pozicion kryqëzohej rruga e trenit me rrugën automobilistike Tiranë-Durrës dhe makinat që kalonin aty ishin të detyruara të ulnin shpejtësinë. Si rrjedhojë, ishte pozicion shumë i përshtatshëm për t’u bërë prita. Pasi pashë këtë vendosje, unë ika atje ku shpjegova më sipër. Pasi lashë makinën e prishur tek oborri, unë prita Lulin me gjithë shokët e tjerë. Pas rreth 10 minutash, Luli bashkë me shokët e tjerë erdhën në këmbë drejt meje. Ata panë makinën që ishte prishur, Luli më bëri shenjë me dorë që të largohesha. Ata u nisën në drejtim tjetër dhe unë në drejtim tjetër. Unë shkova në shtëpi dhe atë ditë nuk u takuam me njëri-tjetrin. Po atë ditë unë mora vesh se ishin vrarë Virion Curri dhe Arjan Paja, ndërsa Marseli ishte plagosur dhe e kishin çuar në spital në Tiranë. Atë e kishte kapur një plumb në qafë dhe një tjetër në këmbë. Të nesërmen u takuam tek shtëpia e Plarentit, ku ishte edhe Luli. Ai më tha: Si e humbe fare, që e fute makinën në ujë, po s’ka gjë se e kishe për herë të parë. Pas dy ditësh jemi takuar përsëri tek shtëpia e Plarentit, ku kemi qenë unë, Plarenti, Luli, Iliri dhe Klodi. Aty filluam të diskutonim rreth ngjarjes. Unë mësova se ata i kishin qëlluar të katërt dhe Iliri tha në bisedë: Desha të kthehesha të qëlloja përsëri mbi Marselin, por vura re se dera e makinës ishte e hapur dhe Marseli ishte në pozicion të shtrirë. Kujtova se ai kishte vdekur. Aty u diskutua se në makinën e Marselit kishte qenë edhe një kile kokainë, e vendosur në kroskotin e makinës, si dhe 80 mijë marka. Po aty u diskutua se si nuk arritën të vrisnin dot Marselin si dhe ku i hodhën armët pas vrasjes. Ata treguan se armët i kishin hedhur në një kanal me ujë, i cili ishte afër makinës “Golf”. Gjatë bisedës, njëri thoshte se arma ime u zhyt e tëra brenda kanalit, ndërsa një tjetër tha se arma e tij nuk ishte zhytur e tëra. Nuk e di me saktësi nëse ata i hodhën të gjitha armët në kanal apo mbajtën ndonjë me vete për t’u mbrojtur nga frika e ndonjë përplasjeje që mund të ndodhte gjatë rrugës në kthim. Pas kësaj prite morëm vesh se Marseli u shpërngul dhe shkoi të jetonte në një shtëpi në plazh, ndërsa Luli, Plarenti, Iliri dhe Klodi rrinin gjithnjë bashkë. Ata jetonin në dy shtëpi, tek shtëpia e Plarentit dhe tek shtëpia e Klodit në Spitallë dhe nuk para dilnin në qytet, se ruheshin. Kurse unë dilja vazhdimisht. Unë në atë kohë përdorja “Lancia Tema”, që i kisha vënë targat e fuoristradës së Lulit. Ndërkohë, mbaroja çdo punë që më thoshte Luli, shoqëroja familjarët e tij në pazar dhe për punë të ndryshme.





Si u plagos i penduari Coli nga Erjon Lame





Një moment interesant i dëshmisë së Adriatik Colit, sipas burimeve pranë gjykatës, ka qenë edhe momenti kur i penduari ka rrëfyer për momentin kur është plagosur ai dhe e fejuara e tij nga Erjon Lame. “Një ditë, nga fillimi ose mesi i nëntorit 1998, nuk më kujtohet data e saktë, unë dola me të fejuarën time në një restorant. Pasi mbaruam së ngrëni, rreth orës 21:30 u nisa për të çuar të fejuarën në shtëpinë e saj, në një pallat në kat të parë tek fusha e druve. Unë ndalova makinën në kryqëzimin tek fusha e druve dhe po bisedoja prej 5 minutash me të fejuarën në makinën e ndezur. Në një moment unë vura re se përballë me makinën time kishte ndaluar një “Benz” i bardhë 240, i cili më lëshoi dritat e gjata dhe ishte 10 metra larg meje. Unë nuk i kushtova vëmendje. Në momentin që makina lëshoi dritat e gjata u nis në drejtimin tim dhe kur ishte 2-3 metra larg meje pashë që shoferi ishte me kapuç, por nuk e kishte fytyrën e mbuluar. E pashë vetëm si siluetë: ishte i dobët dhe i imët. Në atë moment unë pashë tek xhami i pasmë nga prapa shoferit një grykë arme që nxirrte flakë dhe më qëlluan. Menjëherë u shtriva në sedilje nga ana e të fejuarës dhe disa plumba më kapën tek gishtat e dorës së majtë, në krahun e majtë, tek këmba e majtë dhe tek vithet. Një plumb më kapi tek zorra e trashë. “Benz”-i i bardhë nuk ndaloi fare. Kur më qëlloi mua ngadalësoi shpejtësinë dhe pasi u qëllova, iku në drejtim të shtëpisë së shtetasit Erjon Lame. Vura re që edhe e fejuara ishte plagosur në krahun e djathtë. Erdhi policia dhe na çoi në spital. Dua të sqaroj se atë natë, “Lancia” kishte targat e fuoristradës së Lulit, të cilat ishin DR, numrat nuk më kujtohen. Këto targa m’i ka dhënë Luli dhe më ka thënë se janë të fuoristradës time që kam pasur më parë. Në spital kam qëndruar rreth 20 ditë, në Durrës, tek kirurgjia e vjetër. Në kohën që isha në spital, mua më erdhën e më takuan të afërm të Lulit. Kur dola nga spitali, shkova në shtëpinë time. Aty erdhi e më takoi Luli, Klodi, Iliri dhe Plarenti. Deri në atë moment, unë nuk e dija se kush më kishte qëlluar me saktësi, vetëm dyshoja tek grupi i Marselit. Iliri më tha që: “A e ke dorën e djathtë në rregull? Sa ta kesh në rregull, mos e vrit trurin”. Pas njëfarë kohe, unë u shërova dhe dola nga shtëpia. Shkova në polici, ku mora makinën tip “Lancia”, sepse ma kishte marrë policia që kur më goditën. Makinën ma dorëzoi hetuesi i dosjes sime. Mora makinën dhe e çova në një servis që ndodhet sa hyn tek dera e Porto-Romanos. Pasi makina u rregullua, nuk e mora unë më. Atë e mori Julian Meçe dhe e përdorte ai. Më pas, unë shkoja ndonjëherë tek shtëpia e Plarentit ose e Klodit, ku takoja çunat. Pas rreth një muaji unë bisedova me Lulin, Plarentin, Klodin dhe Ilirin dhe ata më thanë se mua më kishte qëlluar Erjon Lame dhe A. S. Kur shkova në Spitallë pas plagosjes time pashë që aty ishte edhe Arben Paja, i cili shoqërohej me Klodin dhe çunat e tjerë. Unë u takova me të, kur hëngrëm një drekë në Spitallë, dua të them që Paja ishte shumë shok me Ilir Xhungën”, - rrëfeu i penduari Coli.